Franca-Gjermania apel Kinës: Liro disidentin

04/04/2011 17:50

Franca dhe Gjermania i drejtuan Kinës një apel të përbashkët për lirimin e një artisti anti-qeveritar kinez, i arrestuar në mënyrë arbitrare një ditë më parë.

Ai Weiwei nuk është parë më që kur u paraqit në kontrollin policor në aeroportin e Pekinit, ku duhet të merrte një fluturim për në Hong Kong.

Ministri i Jashtëm Gjerman, Guido Westerwelle, i kërkoi Kinës një “shpjegim urgjent” për fatin e Weiwei-t.

Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Franceze u shpreh “shumë i shqetësuar” për fatin e artistit.

Autoritetet kineze nuk kanë lëshuar asnjë koment rreth mbajtjes nën arrest të artistit me famë botërore për më shumë se 24 orë, ndërsa gruaja e tij deklaroi për “AFP”-në se Pekini as nuk konfirmon nëse e ka nën kujdes apo ku ndodhet Weiwei.

Për ironi të fatit, Ministri i Jashtëm Gjerman, Westerwelle, sapo është kthyer nga një udhëtim në Pekin dhe Tokio, ndërsa gjatë vizitës së tij në kryeqytetin kinez u shpreh i impresionuar nga “rëndësia që liderat kinezë i kushtonin përmirësimit të fjalës së lirë dhe të drejtave të njeriut në vendin e tyre”.

Top Channel