Milan mposht Interin

03/04/2011 08:00

Milani fiton derbin e Madoninës duke thyer Interin 3-0 në një mbrëmje speciale në San Siro që përgatitej prej kohësh.

Si për të konkretizuar e për t’i dhënë më shumë zjarr atmosferës së kësaj përballjeje të madhe mes dy skuadrave të Milanos, kuqezinjve i mjaftojnë pak sekonda për të kaluar në avantazh. Një aksion i kombinuar mes Robinjos e Patos finalizohet nga ky i fundit duke shokuar interistët ende pa e filluar mirë ndeshjen.

Me këtë ritëm Milani rrezikon sërish e pretendon për një 11-metërsh në minutën e 9-të kur goditja e Sedorf ndalohet me dorë nga Maikon, por për gjyqtarin Ricoli nuk është e tillë. Më pas një goditje traverse nga Van Bomel ndërsa Interi i afrohet më shumë golit në fundin e pjesës së parë me një top që ndalet për mrekulli nga Abiati, por që për lojtarët e Interit kishte kaluar vijën fatale.

Menjëherë më pas Eto nuk u beson syve duke humbur një rast që do të sillte barazimin e takimit. Gjithsesi gjithcka mbyllet me rezultatin 1-0 në pjesën e parë.

Pjesa e dytë sjell menjëherë kartonin e kuq të Kivus i cili me një ndërhyrje të parregullt ndaj Patos i heq atij mundësinë për të shënuar. Ricoli nuk mendohet gjatë, menjëherë karton i kuq.

Në një derbi të tillë, një lojtar më pak ndihet menjëherë dhe kuqezinjtë dyfishojnë shifrat shumë shpejt sërish me Paton, një aksion që nis nga Sedorf, më pas te Abate e braziliani bën detyrën.

Kjo ishte goditja fatale e në këtë moment Milani vret derbin duke kontrolluar gjithçka. Për golin e tretë mendon Kasano i cili përfiton një 11-metërsh, shënon golin e tretë dhe del sërish nga loja me kartonin e kuq, megjithatë feston sërish, pasi ky derbi u fitua e dominua nga Milani i cili konfirmohet si pretendenti kryesor për titullin pasi ka mundur të gjithë rivalët e drejtpërdrejtë ndërkohë që Interi mbetet 5 pikë prapa, praktikisht nën shpresën e një mrekullie.
 

 

Top Channel