Vijojnë dyndjet në Lampeduza

02/04/2011 21:55

Në ishullin e Lampeduzës nuk ulet tensioni për shkak të gjendjes së krijuar nga mbërritja e një numri të madh emigrantësh afrikano-veriore.

Pas shpërndarjes së një pjesë të tyre në zona të tjera të Italisë, në ishull mbeten rreth 4 mijë persona, sepse era ka penguar futjen në port të anijeve që duhet të bëjnë transferimet.

Ditën e hënë kryeministri italian Silvio Berlusconi do të shkojë në Tunizi për t’i kërkuar autoriteteve të vendit të frenojnë nisjen e emigrantëve.

Ai premtoi se brenda ditës së diel ishulli do t’i kthehet banorëve, të shqetësuar për rrjedhojat negative që do të ketë kjo valë migrimesh mbi turizmin, burimi kryesor i të ardhurave për Lampeduzën.

Kryeministri, duke bërë një llogari të thjeshtë thotë që në Itali ka 9 mijë komuna, mjafton që çdonjëra të marrë një emigrant e problemi do të zgjidhej.

Por jo të gjitha komunat janë dakord. Kryebashkiaku i Torinos nuk ka pranuar që në qytetin e tij të vendosën 1.500 emigrantët siç ishte në plan.

Ndërsa politika vazhdon polemikat në det nuk ndalet eksodi. Pas gomones që u mbyt duke marrë me vete 11 jetë, mbërrin alarmi i komisares së lartë të OKB-së për refugjatët, Laura Boldrini.

Ajo i ben thirrje autoriteteve italiane që të bëjnë përpjekje me mjetet e lundrimit në Mesdhe sepse në apel mungojnë 400 emigrantë.

Top Channel