Tenis, Nadal poshtëron Federerin

02/04/2011 13:00

Numri një në botë në tenisin mashkullor, Rafael Nadal, i dha një leksion të paharrueshëm tenistit më të suksesshëm të historisë, Roger Federer, në gjysmëfinalet e Masterit të Majemit.

Në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e shkuar në “Crandon Park”, spanjollit iu deshën vetëm 1 orë e 18 minuta për të “larë hesapet” me zviceranin, ndërsa siguroi një vend në finale duke fituar të dy setet me rezultatin 6-3, 6-2.

Në finale, Nadal do të përballet me serbin Novak Djokovic, i cili mposhti edhe ai me lehtësi amerikanin Mardy Fish, në dy sete, 6-3, 6-1.

Në Majemi do të ripërsëritet finalja e dy javëve më parë në “Indian Wells”, ndërsa spanjolli kryeson 16-8 në të gjitha sfidat e zhvilluara me ballkanasin, por ky i fundit vjen pas suksesit në Kaliforni.

Djokovic është duke përjetuar një formë të mrekullueshme, ndërsa nuk njeh humbje prej 25 ndeshjesh radhazi. Në 30 vitet e fundit, vetëm dy tenistë kanë arritur seri më të mira se ajo e serbi, McEnroe me 39 fitore radhazi në vitin 1984 dhe Lendl, 25 fitore në vitin 1986.

Top Channel