Mourinho: Inter, rikthehu në krye

02/04/2011 12:50

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, përfitoi nga konferenca e shtypit përpara ndeshjes me Gijonin në kampionatin spanjoll, për të shprehur mbështetjen e tij për Interin përpara derbit të Milanos.

”Më vjen keq që orari do të koinçidojë me atë të ndeshjes së Realit dhe që nuk mund të shoh derbin as në televizor. Do të më pëlqente shumë t’a ndiqja”, deklaroi Mourinho, që i prezantoi kështu spanjollëve derbin e “Madonnina”-s:

”Do të jetë një derbi i bukur. Unë kam përjetuar katër, fituar tre dhe më kanë shijuar të gjithë, përfshi ai që humbëm. Mbase jo të gjithë njerëzit jashtë Italisë e dinë se kjo është një ndeshje e ndierë dhe e luajtur në një ambient fantastik, në një atmosferë superfantastike dhe pa probleme dhune.

Stadiumi është gjithmonë i mbushur plot, rrugët më të populluara se kurrë. Përsëris, kjo është një ndeshje shumë e bukur, që këtë vit bëhet edhe më e veçantë nga fakti që këto dy skuadra janë në luftë për titullin.

Si ish-trajner i Interit, shpresoj shumë që ata të jenë në gjendje të fitojnë këtë ndeshje dhe të rikthehen në vendin e parë. Është e qartë që ky është një rast i artë për ta”.

Top Channel