Libi, kush është pasardhësi i Gaddafi?

02/04/2011 14:25

Ndërsa luftimet në Libi vazhdojnë, ekziston një pyetje që ka mbetur pa përgjigje. Kush do të jetë njeriu që do të pasojë Gaddafi-n kur regjimi i tij të rrëzohet?

E përditshmja amerikane “Time” i tha përgjigje kësaj dileme ditën e sotme, duke cituar burime të brendshme të Uashingtonit, të cilat shohin si lider të ardhshëm të Libisë doktorin e shkencave ekonomike, Mahmoud Gebril-in.

58-vjeçari u rekrutua në muajin e shkuar nga liderat e lëvizjes kryengritëse në Bengazi dhe ai luan aktualisht rolin e një koordinuesi të veprimeve politike dhe atyre ushtarake në terren.

Ndonëse emri i tij ishte relativisht i panjohur në këtë revoltë që ka përfshirë vendin e Afrikës së Veriut, ai përjetoi debutimin e tij të madh në skenën ndërkombëtare ditën e martë, kur u takua në Londër me Ministrat e Jashtëm të më shumë se 36 vendeve dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.

Gebril u fotografua duke shtrënguar duart me presidentit francez, Nicolas Sarkozy në “Elysse” dhe duke biseduar përzemërsisht me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, David Cameron.

Megjithatë, zgjedhja e Gebrilit në rolin e drejtuesit të ardhshëm të Libisë, do të përbëjë nga komuniteti ndërkombëtar edhe një lloj përpjekje për bashkim kombëtar, pasi ai është njeri me mbështetës të shumtë midis të dy kampeve.

Njëkohësisht, mbështetja e figurës së tij përbën nga ana tjetër edhe një tregues se sa e vështirë është të gjesh në Libi një lider politik të ardhshëm që të mos ketë qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë me regjimin.

Një ekonomist me emër, Gebril drejtonte Këshillin e Zhvillimit Ekonomik Kombëtar, deri në shpërthimin e protestave dhe zotëronte akses tek njerëzit më të lartë të regjimit, në të njëjtën kohë që realizonte një jetë luksoze në Tripoli.

Në punën e tij, Gebril-it i është dashur të bashkëpunojë shpesh me djalin e diktatorit, Saif al-Islam. Edhe pse i diplomuar në Universitetin e Pitsburgut në SHBA, Gebril ka qenë një kritikues i ashpër i SHBA-së, por tani duket se do të vijë në pushtet pikërisht falë mbështetjes së tyre.
 

Top Channel