Japoni, Kan: Do të rindërtojmë qytetet

02/04/2011 09:15

Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan, vizitoi këtë mëngjes krahinat veri-lindore të vendit, më të dëmtuarat prej tërmetit e tsunamit të 11 marsit.

Kjo është vizita e parë e Kan-it në këto zona, ndonëse ai i kishte vëzhguar ato më parë prej helikopterit.

Duke folur në Rikuzentakata, qytet me 25 mijë banorë, tërësisht i shkatërruar, Kan tha: “Kam folur me zyrarët vendas për rindërtimin e industrisë së peshkimit dhe të rritjes së peshkut. Qeveria japoneze do të bëjë më të mirën për të rikthyer jetën e mëparshme për këdo”.

Në vazhdim, Kan vizitoi disa tenda dhe pyeti banorët se ku do të dëshironin t’i kishin shtëpitë në të ardhmen, me qeverinë që do të jetë në gjendje të rimodelojë qytetet tërësisht të shkatërruara.

Kryeministri ishte vënë në qendër të kritikave nga opozita për mungesën e tij në zonat e dëmtuara dhe një qëndrim i tillë u mbajt edhe nga një pjesë e të mbijetuarve të katastrofës, të cilët refuzuan t’a takonin.

Një 60-vjeçar i detyruar të jetojë në tenda pas prishjes së banesës së tij, Ryoko Otsubo, deklaroi: “Kan është kujtuar tepër vonë. Do të doja të kishte ardhur më herët dhe të shihte pirgun me rrënoja që kishte bllokuar rrugën. Tani rrugët janë pastruar dhe shumë rrënoja janë hequr”.

Ndërkohë, vazhdon kërkimi i trupave të pajetë nga shërbimet e emergjencës. 11 500 është numri i të vderkurve, ndërsa 16 500 janë të humburit.

Top Channel