
Edhe pse ka plot një vit që ka fituar lirinë pasi e përfundoi vuajtjen e dënimit me shtatë vjet burgim, çështja e drejtuesit të një prej ish kompanive piramidale, “Kambo Marshall”, rikthehet në Gjykatën e Lartë.
Bazuar në një kërkesë që Ylli Kambo e kishte paraqitur gjatë kohës që ai ishte në qeli dhe i lutej gjyqësorit për shuarje dënimi.
Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Ylli Kambos duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila kishte rrëzuar më herët kërkesën e Kambos kur ky ishte në burg.
Gjykata e Lartë argumentoi në atë kohë, se Kambo nuk e kishte paraqitur kërkesën e tij, sipas ligjit, pasi ajo nuk ishte e nënshkruar nga avokati mbrojtës, edhe pse i dënuari në atë kohë kërkonte që interesat e tij të përfaqësoheshin nga një avokat i caktuar nga shteti.
Ylli Kambo u arrestua në Rumani teksa fshihej atje me gjeneralitete të rreme, pasi ishte dënuar në mungesë nga drejtësia shqiptare me shtatë vjet burgim, i akuzuar për mashtrim me fajde.
Ish bosi i firmës rentiere “Kambo Marshall”, që ka zhvilluar aktivitetin e saj në Berat përgjatë 1997 e që, sipas Prokurorisë, ka mashtruar në 63 raste duke përvetësuar 78 milionë lekë të reja, bëri dhjetra përpjekje para gjykatave për të rifituar lirinë.
Kur u ekstradua në Shqipëri në 2003-shin, ai kërkoi që t’i llogaritej edhe koha kur kishte qendruar në pritje të ekstradimit në Rumani.
Por asnjë kërkesë e tij nuk u mor parasysh nga gjyqësori.
Ai qendroi në qeli deri në prill të vitit të kaluar edhe pse avokatët ngritën shqetësimin se ai po mbahej jashtë afateve.
Gjykata e Lartë u shpreh me vendim për ankesën e një të dënuari një vit pasi ai kishte fituar lirinë dhe më shumë se një vit e gjysmë pasi kishte bërë ankesën.
Vendimi i vonuar i gjykatës, nëse nuk i shërbeu të dënuarit për të fituar lirinë në kohën e duhur, mund t’i shërbejë për të nisur një tjetër betejë gjyqësore për dëmshpërblimin e mujave që vuajti në burg në mënyrë të paligjshme.
Top Channel