Dinho: Forca Milan, fito për mua

02/04/2011 12:40

Edhe pse tashmë nga larg, Ronaldinho përpiqet të karikojë ish-shokët e tij të skuadrës në prag të përballjes me Interin, në derbin e shumëpritur të Milanos.

”Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jam i sigurt se edhe pse pa Ibrahimovic-in, shokët e mi mund t’ia dalin mbanë”, deklaroi Dinho në një intervistë telefonike për “Corriere dello Sport”.

”Për mua, Leonardo është një mik dhe raporti ynë do të vazhdojë përgjithmonë, por shpresoj që të jetë Milani skuadra që do të fitojë titullin. Forca djema, bëj tifo për ju”.

Nga ana e tij, në një deklaratë të shkurtër për shtypin, presidenti i kuqezinjve, Berlusconi, parashikoi një fitore minimale të të tijëve, me golin apo asistin vendimtar të dhënë prej Cassano-s.

Ndërkohë, në “Gazzetta dello Sport” u shfaqën fjalët e ish-kapitenit, Paolo Maldini: “Leonardo bëri gjënë e duhur. Kur më kërkoi mendim, i thashë që të pranonte propozimin e Moratti-t, pasi për karrierën e tij është një mundësi e madhe.

Tradhëtar? Më vjen keq për ata që e konsiderojnë si të tillë. Është një zakon italian dhe edhe kur jep shumë, nëse ndërron kamp të vërshëllejnë. Kush do të fitojë? Shpresoj që Milani. Një fitore ndaj Interit do të ishte vendimtare për titullin dhe vetbesimin”.

Top Channel