Luftime të ashpra në Bregun e Fildishtë

01/04/2011 08:00

Luftime të dhunshme janë regjistruar në qytetin kryesor të Bregut të Fildishtë, Abdixhan, mes forcave besnike të presidentit të mbështetur nga OKB, Alassane Outtara dhe mbështetësve të presidentit në detyrë, Laurent Gbagbo.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë raportuar për mediat ndërkombëtare se kanë dëgjuar të shtëna armësh të rënda pranë rezidencës së Gbagbos, ndërkohë që mbështetësit e Outtara deklarojnë se kanë marrë nën kontroll televizionin shtetëror.

Më herët, qeveria e vendit mbylli kufijtë e Bregut të Fildishtë dhe shpalli shtetrrethimin. Deri tani, Gbagbo ka refuzuar të heqë dorë nga presidenca.

Por nga ana tjetër, ushtria kombëtare nuk ka bërë rezistencë kur mbështetësit e zotit Outtara nisën ofensivën ditën e hënë.

Aktualisht, forcat që mbështesin këtë të fundit kontrollojnë pothuajse 80 për qind të territorit të vendit, bëjnë të ditur agjencitë e huaja të lajmeve.

Top Channel