
Kampionati kinez i futbollit do të nisë për herë të parë një sezon të ri pa një sponsor kryesor apo një marrëveshje me ndonjë televizion për transmetimin e ndeshjeve.
Disa skandale korrupsioni kanë larguar interesin e sponsorave nga “Superliga Kineze”, ndërsa që prej largimit të sponsorit gjeneral “Pirelli”, Federata nuk ka mundur të gjejë ndonjë zëvendësues.
Televizioni Shtetëror Kinez ka refuzuar të blejë të drejtat televizive, edhe sepse të dhënat e deritanishme flasin për një rekord negative në shitjen e biletave apo aboneve në disa klube kryesore.
Ndonëse cilësia e lojës nuk është impresionuese në këtë kampionat, problemi nuk është tek tregu, ku miliona tifozë i bëjnë idetë sponsorizuese tepër tërheqëse për shumë kompani.
Gjatë vitit 2010, disa zyrtarë të lartë të Federatës Kineze të Futbollit u arrestuan për ndërtimin e një rrjeti të basteve ilegale dhe fiksimin e ndeshjeve.
Disa gjyqtarë kryesorë u hoqën nga detyra dhe po hetohen për pranimin e rryshfeteve për ndryshimin e rezultateve, ndërsa pas një serie rezultatesh negative, kombëtarja e vendit më të populluar në botë ka rënë në vendin e 76.
Si rrjedhojë, tifozët po braktisin gjithmonë e më shumë futbollin vendas, duke i dedikuar kohën e tyre shikimit në televizor të ndeshjeve të kampionateve europiane.
Top Channel