Allegri: Nuk është finale, vetëm një derbi

01/04/2011 16:30

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, deklaroi se derbi edhe pse është një ndeshje shumë e rëndësishme, nuk do të jetë përcaktues për titullin kampion, ndërsa theksoi se Interi do të mbërrijë në ndeshjen e nesërme me më shumë presion.

”Është ndeshja më e shumëpritur në të gjithë futbollin italian, nga tifozët, media dhe vetë lojtarët. Megjithatë, duke parë pozitat në këtë kampionat, në fushën e lojës Interi do të ketë më shumë presion për të fituar.

Edhe pse dëgjoj të thuhet se në rast humbjeje do të jemi jashtë luftës, ne do të vazhdojmë të luftojmë për titullin. Në rast fitoreje apo barazimi do të mbetemi favoritë, por do të jetë e vështirë”, deklaroi Allegri, disa orë pas deklaratave të Leonardos.

Në vazhdim të konferencës për shtyp, Allegri komentoi momentin jo të mirë që po kalon skuadra. “Barazuam ndaj Barit, në një ndeshje që e dominuam dhe duhet t’a kishim fituar dhe më pas humbën në Palermo. Kjo është rrëshqitja tipike që i ndodh çdo skuadre në një sezon të mirë.

Tani, përfshi edhe ndeshjen derbi, mbetet tetë javë deri në fund. Interi e fitoi titullin në sezonin e shkuar vetëm 20 minuta nga fundi. Duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme si një derbi dhe jo si takimin që do të përcaktojë kampionatin”.

Top Channel