
Dhjetra shtëpi në fshatin Kallm të rrethit të Fierit, janë rrezikuar seriozisht si pasojë e zjarrit që ka rënë në një pus nafte.
Flakët janë përhapur në një sipërfaqe të madhe pasi nafta bruto që ka dal nga pusi është derdhur në kanalet kullues përgjatë gjithë fushës.
Shtëpitë e banimit, megjithëse ndodhen relativisht larg nga vendi që u përfshi nga flakët, rreziku që iu kanosej ishte i madh.
Pusi emërtohet “Bubullima 48” dhe është pus i fondit të ndalur në zonën naftëmbajtëse Kallm-Verri.
Sipas burimeve nga ndërmarrja e shfrytëzimit në kompaninë Albpertrol, zjarri është i qëllimshëm dhe mendohet të jetë vënë nga banorët e zonës, të cilët kërkojnë kompensim për dëmin e shkaktuar.
Ndërkohë këto puse duket se janë lënë të pasiguruara për të evituar ngjarje të tilla.
Për fat të mirë flakët nuk kanë mbërritur në afërsi të vendburimit të naftës. Në rast se kjo do të ndodhte, pasojat do të ishin të paparashikueshme pasi në grykën e pusit çlirohet gaz i lëngshëm.
Disa nga banorët e zonës janë përpjekur me mjete rrethanore të lokalizojnë flakët, të cilat ndihmoheshin edhe nga era.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy zjarrfikëse, të cilat pas një punë prej disa orësh kanë mundur të bëjnë lokalizimin e zjarrit dhe më pas shuarjen e plotë të tij.
Dëmet e shkaktuara nga zjarri në pusin e fondit të ndalur “Bubullima 48” mendohet të jenë të përmasave të mëdha.
Ky është një prej rasteve të shpeshta që ndodh në zonën naftëmbajtëse të Marinzës.
Disa muaj më parë, një tjetër pus i fondit të ndalur i kushtoi jetën një specialisti të kompanisë Albpetrol, i cili shpërtheu papritur duke shpërndarë gaz në atmosferë.
Top Channel