Qeveria con në zero taksën doganore

31/03/2011 18:20

Kryeministri Sali Berisha e ka hapur mbledhjen e qeverisë me një falenderim të vecantë për lojtarët e kombëtares shqiptare të futbollit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka përshëndetur fitoren 1-0 ndaj Bjellorusisë dhe ka premtuar një shpërblim jo pak të vogël për futbollistët e përfaqësueses.

“Do shpërblejmë me 10 mijë euro lojtarët e kombëtares së futbollit. Ishte një nga ndeshjet më të mira të historisë së futbollit shqiptar. Këtë shpërblim e kanë plotësisht të merituar. Kjo është ngjitja më e madhe e ekipit tonë kombëtar dhe le t’i urojmë atij sukseset më të mëdha”, ka deklaruar Berisha.

Më tej kreu i qeverisë ka folur për biznesin, në vecanti për atë fason, që sipas tij po rrit eksportet e produkteve “made in Albania”. Duke shprehur vlerësimet e tij për këtë veprimtari, Berisha ka premtuar mbështetjen e kabinetit të tij.

“Eksportet “made in Albania” kryesojnë dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Por industria fason ka një meritë më të vecantë se të tjerat. Pa diskutim që është sektori më kryesor pas disa shërbimeve. Kjo industri, me avancimet e saj dhe me fuqizimin e kapaciteteve menaxheriale të vendit, po shndërrohet në një industri eksporti vendi”, ka deklaruar Berisha.

Duke qendruar tek biznesi, kryeministri ka deklaruar se, vala e revolucioneve në vendet arabe ka bërë që shumë biznese të shohin spostimin e tyre në Shqipëri.

Duke qenë se një gjë e tillë do të sjellë përfitime për prodhimin dhe punësimin e shqiptarëve, Berisha ka paralajmëruar reduktimin në zero të taksave doganore.

“Revolucioni i jaseminëve i vendeve arabe, që përbën një zhvillim të madh për njerëzimin dhe lirinë e tij, ka krijuar një situatë në të cilën një numër i konsiderueshëm i pronarëve e sipërmarrësve që prodhonin në këto vende të dëshirojnë të vijnë në Shqipëri, duke e konsideruar atë si vendin me klimën më të përshtatshme për biznes. Kjo përbën një mundësi të madhe reale jo vetëm për fuqizimin e prodhimit, por edhe për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Në këto kushte, qeveria vendos që tarifën doganore prej 12.5 % për mallrat e kësaj industrie ta zerojë, pra ta bëjë zero”, ka nënvizuar Berisha.

Kryeministri ka pranuar se nga eleminimi i kësaj takse buxheti i shtetit do të pësojë një goditje, por nga ana tjetër ai ka vlerësuar se ky vendim përbën një inkurajim për biznesin, i cili sipas tij, nëse do të ketë sukses do të sjellë më shumë të ardhura vitin e ardhshëm.

Më tej kryeministri Berisha ka folur edhe për projektet në infrastrukturë, ku ka vecuar ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, që do të shkurtojë distancën mes dy qyteteve.

“Kemi marrëveshjen me Bankën Islamike të Zhvillimit për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, tunelit të Krrabës, vepër kjo që shndërron distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në një distancë më të shkurtër se Tiranë-Fushë Krujë dhe bën që këto dy qytete të shndërrohen në një treg të vetëm. Kostoja e projektit është prej 407 milionë dollarë, por gara e projektit që u bë ka dhënë një kursim të ndjeshëm. Qeveria është e vendosur të financojë këtë projekt qindarkë për qindarkë”, ka nënvizuar Berisha.

Kreu i ekzekutivit ka shtuar më tej se ky tunel, bashkë me atë të Qafë Morinës dhe atë të Kalimashit afron shqiptarët më shumë se kurrë.

Top Channel