
Partia Socialiste dhe ajo e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut kanë firmosur para pak castesh marrëveshjen e tyre për zgjedhjet lokale të tetë majit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryetarët Rama dhe Dule kanë dhënë detajet e kësaj marrëveshjeje, objektivi i të cilës do të jetë fitorja e pushtetit vendor.
“Do ketë një mbështetje të ndërsjellë. Objektivi i marrëveshjes do të jetë fitimi i zgjedhjeve të 8 majit. Ndërsa në disa zona, mes dy partive do ketë një konkurrencë të ndershme”, ka deklaruar Dule.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Rama, i cili ka nënvizuar se marrëveshja konsolidon bashkëpunimin 2-vjecar opozitar me PBDNJ.
“Kjo marrëveshje vjen sipas një vizioni për të ardhmen evropiane dhe shtetit të së drejtës, me një objektiv të përbashkët për një qeveri që punon për njerëzit dhe me njerëzit”, ka deklaruar Rama.
“Këtë marrëveshje e forcon qëndrimi ynë i përbashkët për funksionimin e pushtetit vendor. Po ashtu, kjo është një marrëveshje që vjen natyrshëm, si shprehje e konsideratës se, për ne këto zgjedhje janë një ngjarje me peshë të rëndësishme për të ardhmen e demokracisë dhe zhvillimin e vendit”, ka vijuar ai.
Duke u shprehur i bindur për fitoren, Rama ka nënvizuar se mirëqeverisja vendore do të vijë si rrjedhojë e bashkëpunimit mes partive të opozitës, pavarësisht se në disa zona do të ketë konkurrencë.
“E ritheksoj se ne kemi zgjedhur lirisht që edhe të konkurrojmë në një njësi të caktuar, por do të jetë një konkurrencë e ndershme”, ka shtuar Rama.
Top Channel