
Socialistët kanë vërshuar sërish në disa nga njësitë bashkiake të kryeqytetit, duke bërë publike format përmes të cilave sipas tyre po kërkohet të manipulohen zgjedhjet e 8 majit.
Në njësinë numër tre, Ilir Gjoni ka vënë në dukje ekzistencën e të paktën 5 mijë qytetarëve të cilët në listë nuk kanë asnjë adresë.
“Ne kemi evidentuar në një listë prej 34 mijë votuesish 5200 banorë që nuk kanë kod adrese. Për ne është e pajustifikueshme si veprim administrativ, që merr më shumë ngarkesë nga fakti që po hyjmë në zgjedhje. Nuk gjejmë asnjë mënyrë identifikimi për ta”, ka deklaruar Gjoni.
Në njësinë numër 8 ishin Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati, që kërkuan të informohen për ndryshimet e bëra në lista pas datës 8 mars, kohë kur sipas Kodit Zgjedhor nuk lejohen më regjistrime të reja, përvec disa rasteve të vecanta.
Sipas socialistëve, kjo listë nuk serviret pikërisht për shkak të manipulimeve që po kërkohen të bëhen në të.
“Sot, në panik të madh, pushteti i Berishës i trembet një përballjeje masive me elektoratin që nuk e duron dot më pushtetin e tij”, ka deklaruar Bushati.
Ndërsa deputeti Saimir Tahiri ishte në njësinë numër 6, në Kombinat, ku depozitoi një kërkesë zyrtare për të marrë listat e zgjedhësve.
Ndërkohë, Arben Ahmetaj nga selia rozë ka akuzuar kryeministrin se po përdor edhe një skemë tjetër manipulimi zgjedhjesh duke u përpjekur sipas tij të blejë votat e shqiptarëve përmes parave të falsifikuara.
“Është një fakt që në prag të kandidimit të Lulit të Saliut ka pasur një vërshim monedhash false, euro dhe dollarë, ku spikasin vecanërisht prerjet 100 dollarëshe me cilësi të lartë falsifikimi. Këto para falso kanë hyrë dhe vazhdojnë të hyjnë në Shqipëri për llogari të regjimit të Sali Berishës. Me këto para Saliu dhe Luli i Saliut kanë bërë në plan të mashtrojnë votuesit shqiptarë, të tentojnë të blejnë votat e tyre dhe të tentojnë të deformojnë zgjedhjet lokale”, ka deklaruar Ahmetaj.
Top Channel