
Një roje parkingu ka mbetur i plagosur, teksa gdhihej dita e djeshme, dhe mendohet se është qëlluar me pistoletë nga hajdutë të armatosur.
Ngjarja ka ndodhur shumë afër Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përballë Ministrisë së Jashtme në Tiranë, ku roja 53-vjeçar ruante makinat gjatë natës.
Aty mendohet se hajdutët kanë ardhur për të vjedhur një makinë dhe kur janë pikasur nga roja e kanë qëlluar, me qëllim për t’u larguar.
Në lidhje me këtë ngjarje, burimet policore të kryeqytetit thanë se janë njoftuar rreth orës 03:00 të mëngjesit, kur një person ka telefonuar në sallën operative dhe ka deklaruar se ishte qëlluar me armë.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet policore të Komisariatit nr. 1, të cilat kanë rrethuar zonën përreth parkingut të makinave dhe kanë kontrolluar çdo ambient.
Ndërsa i plagosuri, roje i parkingut, është dërguar menjëherë për në spital. Gjatë rrugës, Abdyl K. ka treguar se kishte marrë një plumb në këmbë.
Sapo ka mbërritur në spital, atij i është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga dëshmia e lëshuar në polici, 53-vjeçari ka treguar se çdo natë punonte si roje parkingu. Madje, për ruajtjen e çdo makine merrte 100 lekë për natë, meqë poseduesit kishin frikë t’i linin pa roje për shkak të hajdutëve.
Kur po shërbente, ka vënë re se dy persona janë afruar për të hapur një makinë dhe ka kërkuar që ata të identifikohen.
Por në atë kohë ata janë larguar me vrap, duke nxjerrë nga brezi një pistoletë, me të cilën e kanë qëlluar në këmbë. Ai ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore se nuk e njihte agresorin.
Në këto kushte, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, por nuk kanë lënë jashtë vëmendjes edhe dyshimet se ai mund të ketë bërë kallëzim të rremë.
Burimet policore thanë se ai mund të jetë vetëplagosur dhe më pas ka fshehur pistoletën, por pista kryesore mbetet ajo e plagosjes gjatë tentativës së vjedhjes së një mjeti. Grupi hetimor tha se nga gëzhoja dhe plumbi i sekuestruar mendohet se është përdorur pistoletë “Zastava”.
Top Channel