Mjekësia, Kule firmos shkarkimin e dekanit

31/03/2011 16:15

Ministri i Arsimit ka 30 ditë kohë për të vendosur mbi propozimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, për shkarkimin e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë.

Rektori Dhori Kule tha se këtë vendim e ka marrë pasi ka shqyrtuar të gjitha ankesat e depozituara mbi zotin Priftanji, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe që aktualisht është duke u proceduar edhe penalisht.

“Ka një rast për të cilin është në procedim penal dekani i mjekësisë, është një proces që po zhvillohet nga organet e drejtësisë. Dhe megjithëse ka vendim të formës së prerë nga gjykata, dekani përsëri nuk ka respektuar ligjin për të realizuar detyrimet e veta”, ka deklaruar Kule.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë ka refuzuar të punësojë tetë punonjës në fakultet edhe pse e kanë fituar konkurrsin dhe nuk ka mbyllur procedurat e specializimit.

“Në fund të marsit të vitit 2011, kur specializimet në procedura duhet të ishin mbyllur dhe sistemi të plotësohej me kandidatët, ky proces nuk ka përfunduar ende”, ka saktësuar Kule.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Alfred Priftanji, i kontaktuar nga Top Channel, nuk ka pranuar të prononcohet mbi këtë cështje, pasi ai nuk është njohur zyrtarisht me motivet e propozimit për shkarkim.

Dy ditë më parë ishte emisioni “Fiks Fare” që bëri publike denoncimet e studentëve dhe pedgaogëve që e akuzojnë zotin Priftanji për abuzime.

Top Channel