
Seanca e sotme parlamentare është mbyllur pak më parë me një deklaratë të deputetit të PS, Taulant Balla, i cili ka akuzuar sërish kryetaren e Kuvendit për abuzim dhe korrupsion me konkursin e paracaktuar për parlamentin e ri.
“Kemi fakte që e implikojnë atë për para publike të hedhura dëm për një konkurs të paracaktuar. Nga ana tjetër, për këtë sallë janë shpenzuar 700 mijë euro vetëm për disa muaj, pasi sipas Saliut, Shqipëria duhet të ndërtojë një parlament të ri”, ka deklaruar Balla.
Në vijim të fjalimit të tij, deputeti socialist i është referuar edhe artikullit të një gazete austriake, e cila fliste për fituesin e projektit për parlamentin e ri, para se konkursi të mbyllej.
“Ajo që fajëson Topallin është gazeta austriake, që kishte shpallur fituesin para se të përfundonte konkursi. Gazeta thoshte që Wolfgang Prix do të ishte fitues i konkursit në Shqipëri. Pra, Jozefina Topalli kishte paracaktuar fituesin e një gjoja konkursi ndërkombëtar”, ka pohuar Balla.
Më tej Balla ka kërkuar sqarime për shpenzimin e 50 mijë eurove për spote televizive, marrëveshjen e nënshkruar sipas tij përmes një sekseri dhe për shpenzimin e 2 milionë eurove për rikonstruksionin e piramidës para se të vendosej për prishjen e saj.
Ndaj akuzave të Ballës ka reaguar deputetja demokrate Arenca Trashani, e cila i ka cilësuar si gënjeshtra pretendimet e Ballës.
“Taulant Gjura vazhdon të gënjejë. Por unë i them atij, Taulant, Kuvendi nuk është si bashkia e Tiranës. Taulanti, që në fillim kërkonte motra e vëllezër, sot kërkon burrërrinë e tij që s’dihet se ku i ka humbur”, ka deklaruar Trashani.
Top Channel