Krimineli që u “përkëdhel” nga drejtësia

31/03/2011 15:30

Nëse Saleo Stojani, superhajduti i akuzuar së fundmi edhe për vrasjen e një oficeri policie, nuk do të ishte toleruar nga gjyqësori shqiptar, atëherë ai do të kishte marrë prej kohësh aq dënime sa mund të futej në burg për më shumë se 100 vjet.

Vetëm në Korcë, ndaj tij janë të regjistruara si vepra penale 60 vjedhje, të cilat në më të shumtën e rasteve ai i ka kryer pa mbushur 14 vjec. Moshë kjo për të cilën Kodi i Procedurës Penale nuk pranon burgosjen.

I arrestuar për më shumë se 70 herë të tjera për vjedhje të kryera në Tiranë, Gjiroakstër, Vlorë e qytete të tjera të mëdha të vendit, Saleo Stojani ka marrë gjysmën e dënimit, gjithmonë bazuar kjo në respekt të ligjeve në fuqi.

Por duke qenë se konsiderohej i shtyrë dhe i përdorur nga dikush tjetër, Stojani, ende pa mbushur 18 vjec, kryente vetëm disa javë burg për krimet që kryente dhe hidhej sërish në rrugën e krimit.

Ai mori vendimin e parë të gjykatës për një vjedhje në Rogozhinë, vetëm kur ishte 15 vjec, por ia hodhi paq pasi pranoi se kishte kryer krimin dhe mori dy lehtësime rresht me një të tretën dhe të dytën e dënimit.

Kur u numëruan veprat e tij penale në arrestimin e parë, numri i kishte kaluar të 100-at dhe sërish ai kreu vetëm 4 muaj burg. Burgimi i filloi atij në prill të 2008-ës dhe meqë e kaloi një kohë të madhe në paraburgim, shkurtoi akoma edhe më tej vendimin e dhënë ndaj tij.

Që nga ajo kohë, Stojani ndiqej nga policia, por duke ditur se ai ose do të lirohej për shkak të moshës, u prit mbushja e tij 18 vjec, në dhjetor të vitit të kaluar me idenë se përfundimisht shpëtuan nga njeriu që cdo vit kryente 2 për qind të vjedhjeve në total të ndodhura në vend.

Për të gjykata ka zhvilluar dhjetra seanca gjyqësore, por cdo njëra prej tyre ka qenë vetëm një shpenzim gjyqësor i tepërt. Gjyqësori pretendon se ka respektuar të drejtat e minorenëve, duke zhvilluar edhe senacat edukuese.

Por ky mekanizëm ligjor dhe mungesa e institucioneve për izolimin e minorenëve të rrezikshëm bëri që i mituri të kalojë nga njëri krim në tjetrin, për të mbërritur tek vrasja e një agjenti policie.

Top Channel