Kontrabanda e naftës, hetimet shtrihen edhe në 2010-n

31/03/2011 13:05

Hetimi i kontrabandës së naftës virgin shtrihet deri në vitin 2010. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës thotë se po verifikon sasitë e naftës virgin edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, pasi dyshohet se tonelata me nënproduktin e naftës janë prodhuar nga ‘Albpetrol’ dhe i janë shitur kompanisë ‘Euroil’.

Kjo e fundit ka kontraktuar disa firma të tjera private, midis tyre edhe kompaninë “Fisheku”, për të kryer edhe përzierjen, duke ia shitur shqiptarëve me një çmim shumë të lartë.

Akuza thotë se po verifikon të gjitha shifrat e marra nga ‘Albpetrol’ dhe nga kompanitë e tjera dhe të dhënat i janë servirur kontabilistëve privatë, që do të nxjerrin në fund të gjithë sasinë e naftës virgin të hedhur në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri, ku më të prekurit rezultojnë qytetarët dhe përdoruesit e automjeteve.

Ndërkohë, rezulton se nafta virgin u është shitur edhe institucioneve shtetërore që kanë lidhur kontrata me firmën e Hajri Elezajt, biznesmen i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria e Tiranës po verifikon rolin e institucioneve të tjera që kanë pasur dijeni për këtë kontrabandë, siç janë Tatimet, Doganat dhe vetë Policia e Shtetit, e cila nuk ka kryer asnjë ndalesë për autobotet që transportonin këtë nënprodukt të naftës nga rafineritë e Ballshit në depozitat e përzierjeve në Durrës, Lushnje dhe Golem.

Në asnjë rast nuk janë “shënuar” në procesverbal të Policisë së Shtetit ndalimet e këtyre kamionëve që mbanin mbi shpinë tonelata me naftë virgin, megjithëse virgin është i ndaluar të tregtohej në Shqipëri dhe në dëm të konsumatorëve. Patrullat e policisë të disa qyteteve kanë “mbyllur” sytë para këtij fakti, ndoshta me “urdhër nga lart”.

Grupi hetimor deklaron se përgjatë periudhës 2007-2010, në aksin rrugor Ballsh-Durrës kanë kaluar mijëra autobote që transportonin naftën virgin. “Në këtë kohë, pra 2007-2010, ka dyshime se dy firmat që merreshin me këtë nënprodukt kanë kontrabanduar mijëra tonelata naftë virgin, e cila ndalohet të hidhet në tregun shqiptar.

Nafta merrej nga rafineritë e qytetit të Ballshit dhe me autobote 3 tonë transportohej me shpejtësi në cisternat e një kompanie private në Durrës.

Itinerari është kryer me mijëra herë, ndërsa firmat private mësohet se përdornin rreth 10 autobote për të formuar autokolonën që transportonte këtë nënprodukt”, – thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka marrë dokumente se dy firmat private “shkruanin” në faturat doganore dhe tatimore se kjo sasi do të dërgohej për eksport.

Krejt e kundërta ka ndodhur në realitet, pasi virgin është përzierë në Shqipëri, duke dëmtuar rëndë interesat e shqiptarëve dhe të vetë shtetit, i cili ka rimbursuar firmat private vetëm nga faturat doganore dhe tatimore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta