“Skafistët e mirë”, heronjtë e detit tonë

31/03/2011 19:10

Për vite me radhë, skafistët janë shndërruar në “piratët” modernë të detit në vendin tonë. Historitë e tyre të shumta janë folur e përfolur gjatë, shumë më tepër se ato të njerëzve që kanë luftuar në det ballë për ballë për të ndaluar trafiqet e paligjshme.

Ishin pikërisht këta “heronj” që u vendosën në qendër të vëmendjes së emisionit të pasdites në “Top Channel”, edhe ata skafista, por “skafistët e mirë”.

Gjergji Brahimaj quhet antari më i vjetër i kësaj njesie, e cila është e gatshme të dalë dhe të luftojë krimin në ujrat tona territoriale në çdo moment që të jetë nevoja.

”Këtë punë e bëj me shumë kënaqësi. Kam shumë vite në det, më parë kam qenë në marinë dhe deti është pasioni e dashuria ime. E di që është një punë e rrezikshme, por e kam marrë parasysh këtë”, thotë Brahimaj.

Për një vend që ka vuajtur shumë nga gomonet, ky skafist i ligjshëm ka pafund histori për të treguar.

Sigurisht, puna e tij nuk ka mbaruar me moratoriumin e mjeteve lundruese. Ai, së bashku me mjetin e tij, e ka parë detin shpesh herë të nervozuar.

”Mbaj mend që në rastin e 9 janarit, brenda në Gjirin e Karaburunit deti kishte forcën e gjashtë shtatë ballëve. Një det i tillë është i rrezikshëm edhe për tragetet, jo më gomonet.

Atëherë qëndruam dy ditë të bllokuar në det, përpara se deti të na lejonte të riktheheshim në tokë”, rrëfen Brahimaj.

Por, këta njerëz janë mësuar me më të keqen, madje pyetjes së çuditshme se cilat operacione preferojnë, ata përgjigjen: “Ato të luftës së kontrabandës”.

”Që nga operacioni puna, për gomet me njerëz, shërbimi me orë të gjata, kemi provuar shumë gjëra në këtë njësi”, siguron Brahimaj

”Për ndalimin e skafeve ka mënyra të ndryshme, siç është ajo e hedhjes së një rrjete tek motorët. Njerëzit që kryejnë kontrabantë janë të papërgjegjshëm dhe mund të të përplasin duke rrezikuar jetën e njeriut”.

Mbase Gjergji nuk ka shumë dëshirë të plotësoje raporte e shkresurina, as të japë intervista, por kur vjen puna tek fantazia për të bllokuar apo neutralizuar mjete në det, ai është shumë krijues.

”Deti ka të papritura, e dimë dhe mendojmë për mënyra mbrojtje. Deti është gjithmonë i vështirë dhe i paparashikueshëm, por kualifikimi i punonjësve është shumë i mirë dhe s’kemi patur asnjëherë incidente.

Ndodh shpesh që t’i përplasim gomonet që nuk ndalojnë, aq sa për t’i ndaluar, por asnjëherë nuk ka patur ndonjë të plagosur apo të vdekur”.  

Një drejtues i kësaj njësie detare, shtoi: “Duhet të mendojmë gjithmonë për mënyrat se si të mbrohemi, pasi kemi të bëjmë me keqbërës. Në det vështirësitë janë të shtuara, prandaj punonjësit e këtij grupi stërviten vazhdimisht”.

Megjithatë, kur dallgët janë të larta sa një shtepi, ndonjë dileme edhe mund të kalojë nëpër kokë. Në çaste të tilla, nuk ka kohë për frikë, por vetëm për vendime të shpejta, pasi ato janë të vetmet që mund të të shpëtojnë jetën.

”Frika ecën paralel me gjithçka, sidomos në det, ku shikon llahtarira, njerëz të mbytur e gjëra si këto. Mendje të shkon gjithmonë tek familja, por kjo është një punë që dikush duhet t’a bëjë dhe ne jemi më të kualifikuarit për këtë”.

Top Channel