Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë në Presidencë, komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle.
Gjatë takimit, presidenti Topi ritheksoi qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv dhe me tone të qeta mes palëve është garanti i stabilitetit dhe i funksionimit të drejtë të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura të tij.
Sipas faqes së Presidencës, kreu i shtetit shprehu besimin se “me vullnetin e duhur të partive politike dhe angazhimin serioz të tyre, duhet të ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 të realizohen me sukses të plotë, që të jenë të drejta, korrekte dhe sipas standardeve demokratike evropiane, dhe në të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”.
Ndërkohë nga ana e tij, Fyle theksoi se për përmbushjen e duhur të standardeve për integrim evropian, para së gjithash, duhet të rivendoset dialogu institucional për kapërcimin e ngërçit politik dhe rikthimin e besimit mes palëve, të respektohet Kushtetuta, shteti i së drejtës dhe pavarësia e institucioneve të pavarura që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese.
Sipas njoftimit, komisioneri Fyle, duke sjellë në vëmendje rekomandimet e OSBE-ODIHR-it drejtuar partive politike për gjetjen dhe ruajtjen e dialogut politik mes tyre, vuri në dukje se “sa më të qeta, të ndershme, objektive dhe ligjore të zhvillohen zgjedhjet lokale në vend, aq më pozitive dhe e dobishme do të jetë e ardhmja për Shqipërinë, pasi në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do të vlerësojë plotësimin e standardave integruese të Shqipërisë, sidomos për çështje të lirive thelbësore të njeriut, të shtetit të së drejtës, të pronës, forcimit të demokracisë, lirisë së medias, zhvillimit me sukses të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.”
“Presidenti Topi dhe Komisioneri Fyle ndanë të njëjtin mendim se rivendosja e dialogut institucional politik dhe realizimi i zgjedhjeve vendore në Shqipëri sipas standardeve më demokratike perëndimore, do të ndikojë ndjeshëm në plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian si dhe në rrugëtimin e mëtejshëm integrues të vendit tone”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Top Channel