Robinho: Fitojmë dhe kërcej samba

30/03/2011 20:10

Robinho, autori i dhjetë golave në këtë sezon për Milanin, pret me padurim të “kërcejë samba”, në derbin përcaktues të qytetit, në plan për t’u zhvilluar këtë të shtunë.

Pas fitores së arritur me shpirt ndër dhëmbë në ndeshjen e parë, me një gol me penallti nga Ibrahimovic dhe me një njeri më pak për gjysmë ore pas përjashtimit të Abate-s, braziliani është i sigurt që skuadra e tij mund të përsërisë suksesin dhe të rikthehet në pozita të forta për fitimin e titullit.

”Është një moment përcaktues dhe nuk mund t’i lejojmë vetes më shumë gabime”, deklaroi sot Robinho për “Milan Channel”. “Duhet vetëm të fitojmë. Vetëm kështu mund të kemi shanse për të fituar titullin. Jam i sigurt që mund t’ia dalim mbanë dhe nëse shënoj një gol në derbi, do ta festoj me samba”.

Duke u ndalur tek cilësia e rivalëve, sulmuesi 27-vjeçar shtoi: “Gjithçka do të varet vetëm prej nesh. Kemi një mundësi të madhe përpara. Jemi të bindur që mund të fitojmë edhe pa Ibrën, por për të bërë këtë duhet të japim maksimumin. Gjithçka do të varet nga këmbët tona, pasi të gjithë e dimë që Interi është një skuadër e fortë, por e thyeshme”.

Top Channel