Dy forcat e mëdha politike në vend i kanë dhënë kohë vetes deri të premten për të vendosur nëse do ta firmosin marrëveshjen, në të cilën demokratët u propozojnë të gjitha partive parlamentare të tregojnë vullnet për zbatimin e Kodit Zgjedhor, si garancia më e mirë për ruajtjen e integritetit dhe standarteve të procesit.
Ndryshe nga një ditë më parë, takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe për gati një orë palët kanë diskutuar rreth disa pikave që Partia Socialiste ka përfshirë në draft-marrëveshjen e propozuar nga demokratët dhe që konsistojnë në 8 kushtet e deklaruara një ditë më parë nga kreu i deputetëve socialistë Gramoz Ruci.
Deri këtu palët, të përfaqësuar në media nga ekspertët e tyre më të mirë për zgjedhjet, shohin se të paktën procesi nuk ka mbetur në vendnumëro.
“Nisur nga qëllimi për të arritur një marrëveshje për ato pika esenciale, ne kemi bërë disa propozime tek propozimi i demokratëve, për ato pika që ne i cilësojmë esenciale”, ka deklaruar deputeti i PS, Damian Gjiknuri.
“Ky është një hap i mirë, pasi provon që PS jo vetëm nuk ka ndryshuar ansjë pikë tonën, por në parim e pranon se marrëveshja e propzuar nga ne është e zbatueshme”, ka reaguar përfaqësuesi demokrat Oerd Bylykbashi.
Problemi qendron se ekspertët e mazhorancës dhe opozitës ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me atë sesa propozimet e Partisë Socialiste prekin Kodin Zgjedhor.
“Përvec pjesës që i takon transparencës post-zgjedhore, asgjë tjetër nuk ka të bëjë me kodin. Vetëm kjo i shtrin efektet pas zgjedhjeve, të tjerat kanë të bëjnë me procese që mund të zgjidhen me vullnet të mirë nga KQZ”, ka nënvizuar Gjiknuri.
“Ka edhe procese që janë në zhvillim e sipër që mund të cojnë, nëse nuk janë të projektuara mirë, drejt një destabiliteti kushtetues”, është shprehur Bylykbashi.
Burime zyrtyare konfrmojnë se gjatë tryezës, demokratët kanë deklaruar se në parim nuk janë kundër ndryshimeve në kod, por se ai nuk mund të pësojë ndryshime një muaj përpara zgjedhjeve dhe se më parë duhet marrë opinioni i OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Ndërsa socialistët kanë këmbëngulur që opinioni i këtyre institucioneve të merret për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa garancitë ligjore që nevojiten për procesin e 8 majit të miratohen me urgjencë.
Palët kanë edhe dy ditë kohë për të parë propozimet e njëri-tjetrit dhe e premtja është caktuar si dita kur do të firmoset marrëveshja, me apo pa Partinë Socialiste.
Top Channel