Ku “avulloi” i madhi Kaka?

30/03/2011 20:50

Një fitues i Topit të Artë dhe i konsideruar gjerësisht si një prej futbollistëve më të talentuar në botë, Kaka nuk ka mundur të tregojë kurrë asgjë nga ajo që ai është në gjendje të japë, që prej kalimit të tij në radhët e Real Madridit.

Siç bëri të ditur sot rrjeti “Mediaset”, për shkak të dëmtimeve apo zgjedhjeve teknike, braziliani ka luajtur vetëm 36% të minutave të mundshme tek Reali, shumë pak për një futbollist të paguar për 67 milionë euro.

Si rrjedhojë, 70% e tifozëve madrilenë janë shprehur në një sondazh pro shitjes së lojtarit, të shndërruar në një “fantazmë” të vërtetë në “Santiago Bernabeu”.

Duke u ndalur tek statistikat, që prej mbërritjes në Madrid, Ricky ka patur në dispozicion për të luajtur 8 190 minuta, por ka qenë prezent në fushë për vetëm 2 958 prej tyre.

Për më tepër, Kaka është shndërruar edhe në një problem dëmtimesh. Nga tërheqjet muskulare, deri tek operacioni në gju që e la jashtë fushave për shtatë pesë muaj, braziliani duket gjithonë e më larg Madridit.

Për më tepër, vlera e tij aktuale në treg ka rënë midis 30-40 milionë eurove, ndërsa lista e skuadrave të interesuara bën që gjigantët spanjollë të mendojnë mirë për mundësinë e shitjes së lojtarit.

Kaka mund të shndërrohet në protagonist të një rikthimi të bujshëm tek Milani, ku presidenti Berlusconi ka pranuar ekzistencën e interesit nëse “Reali do të pranojë oferta”, por edhe Interi, Chelsea e Manchester City duken shumë të interesuar për brazilianin.

Top Channel