Me afrimin e zgjedhjeve, Bashkimi Europian e ka ngritur përnjëherë nivelin e ndërmjetësimit për krizën politike në vend.
Pak ditë pas të dërguarit të posacëm Miroslav Lajcak, komisioneri për Zgjerimin Shtefan Fyle jep në Tiranë celsin e zgjidhjes së krizës politike.
“Bashkëpunimi konstruktiv ndërmjet partive për implementimin e rekomandimeve të bëra nga ODIHR për të përmirësuar praktikën elektorale është celësi i suksesit dhe mund të ofrojë një mundësi për të cuar ngërcin politik drejt fundit”, ka deklaruar Fyle.
Vizita e zotit Fyle bëhet në kuadër të një seminari dyditor. Qeveria dhe përfaqësues të opozitës diskutojnë për përmbushjen e 12 prioriteteve për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Paralelisht, palët zhvillojnë bisedime për daljen nga kriza. Në takime me aktorët kryesorë, komisioneri përshëndet fillesat e kësaj fryme bashkëpunimi.
“I inkurajoj të gjitha palët të zgjerojnë qasjen konstruktive dhe me konsesus për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet të lira, të drejta dhe transparente janë një e drejtë demokratike kyce për të gjithë qytetarët shqiptarë. Shqipëria nuk mund të humbë këtë mundësi për të treguar që mund të kryejë zgjedhje në harmoni me standardet europiane dhe ndërkombëtare”, ka nënvizuar Fyle, i cili më pas ka lëshuar edhe paralajmërimin.
“Nëse nuk gjendet asnjë zgjidhje, Komisioni nuk do të jetë në gjendje që të bëjë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë në progres-raportin tonë të adhshëm. Dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të shkojë drejt rrugës europiane së bashku me vendet e tjera të Ballkanit, por mund të mbetet mbrapa nga fqinjët e saj aspirues për në BE”, ka theksuar ai.
Mësohet se në takimin me kryeministrin Berisha komisioneri Fyle ka bërë prezent edhe shqetësimin për rëndësinë e lirisë së medias dhe mos ushtrimin e presionit politik ndaj tyre.
Top Channel