Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Komisionerin e BE-së për Zgjerimin Stefan Fyle, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Seminarit të përbashkët Shqipëri-KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së.
Sipas faqes së Kryeministrisë, Berisha theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë dhe se qeveria është e vendosur, e angazhuar, dhe po punon me të gjitha forcat për të përmbushur të gjitha kriteret, kërkesat e standardet që kërkon ky proces.
“Fyle e falënderoi kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për mbështetjen dhe angazhimin aktiv të qeverisë për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e Seminarit në shërbim të përmbushjes së 12 rekomandimeve, si një shenjë e qartë e angazhimit të qeverisë në këtë proces. Komisioneri Fyle i ripohoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për realizimin e të gjitha reformave që kërkon anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE”, thuhet në njoftim.
“Në takim u diskutua, gjithashtu, edhe mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe rëndësia që ato kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Kryeministri i rikonfirmoi Komisionerit Fyle angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor”, bën të ditur Kryeministria.
Top Channel