Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës e ka kaluar mbrëmjen e së martës mes të rinjve të Fakultetit Juridik të Tiranës, në një festë të organizuar në një nga kafenetë më luksoze të kryeqytetit.
Zoti Basha kërkon në këto zgjedhje mbështetjen vecanërisht të të rinjve, për të cilët ai ka shpallur një program ambicioz punësimi, që bazohet kryesisht tek nxitja e investimeve private në kryeqytet.
“Sot Tirana është në stanjacion dhe investitorët largohen sepse nuk gjejnë mundësi. Unë ju garantoj se do t’i përvishem punës që investitorët të harrojnë cdo qytet tjetër të Ballkanit dhe të vijnë në Tiranë për investimet e tyre”, ka deklaruar Basha.
Duke u shpejguar edhe një premtim tjetër për ngritjen e bibliotekës universitare për Tiranën, njësoj si të gjitha kryeqytetet europaine, zoti Basha u kërkoi të rinjve t’i shkruajnë në adresën e tij në FB për të gjitha sugjerimet e tyre, për të transformuar jetën në kryeqytet.
Ndërsa një pjesë tjetër e fushatës elektorale për zotin Basha ishte takimi me banorët e njësisë numër katër, në Allias, të cilët i kanë kërkuar kandidatit demokrat ndryshime urgjente në infrastrukturë.
“Ju e shihni vetë si është situata”, i ka thënë një banor Bashës. “Ju siguroj që do ta ndryshojmë, do vijmë të shtrojmë rrugën”, i ka premtuar atij kandidati i PD.
Ndërsa në një pallat, ku ishte ndërtuar një minifushë futbolli, Lulzim Basha, duke premtuar ndërtimin e ambjenteve argëtuese dhe clodhëse, shfaqi edhe talentin e tij në futboll, një sport që ai e ka ushtruar gjatë jetës së tij universitare në Utreht të Holandës.
Top Channel