Liria e medias, ambasadorët në Top Channel

29/03/2011 19:50

Danimarka dhe Holanda, dy prej vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian, janë gjithashtu dy prej kontribuesve më të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërise civile dhe medias së pavarur shqiptare në këto njëzet vjet.

Dy ambasadorët e këtyre vendeve, Karsten Ankjer Jensen i Danimarkës dhe Henk van den Dul, vizituan me kërkesë dypalëshe mjediset e Top Channel pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.

Impresioni i parë, studiot e “Fiks Fare” dhe neës room-i i lajmeve. Investimi i dy vendeve është i dukshëm edhe në mjetet e punës së gazetarëve.

Më pas dy ambasadorët shprehën impresionet e tyre për programet kryesore të Top Channel, ku padyshim emisioni investigativ “Fiks Fare” duket se është edhe në preferencat e tyre personale.

Më pas dy ambasadorët e rëndësishëm europianë zhvilluan një takim me dyer të mbyllura me presidenten e Top Medias, zonjën Vjollca Hoxha dhe drejtuesit kryesorë të televizionit kombëtar Top Channel.

Liria e shprehjes dhe shteti ligjor, barazia dhe raportet me ligjin dhe gjykatat, situata politike dhe fushata zgjedhore, vështirësitë me të cilat media e lirë ndeshet në punën e saj të përditshme ishin disa prej temave për të cilat ambasadorët danezë dhe holandezë kërkuan informacion dhe shprehën interes në vizitën e tyre të martën paradite në Top Channel.

Të gjitha palët shkëmbyen informacion dhe vlerësime dhe ranë dakort se liria e shprehjes është një prej shtyllave kryesore të vlerësimit të shkallës së demokracisë reale në një vend demokratik, si dhe nga ambasadorët u shprehën vlerësime lidhur me profesionalizmin dhe audiencën e Top Channel dhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur lirinë e shprehjes dhe të shtypit në Shqipëri.

Top Channel