
Do të qëndrojnë në burg grabitësit e udhëtarëve, të cilët i joshnin ata duke “punuar” me çmime autobusi. Kështu ka vendosur dje Gjykata e Sarandës në marrjen e masës së sigurisë për Fisnik Hajron dhe Astrit Habilin.
Ata u ndaluan dy ditë më parë për llogari të bluve të Delvinës, nën akuzën “vjedhje në bashkëpunim me anë të mashtrimit”. Masa e sigurisë “arrest në burg” ka qenë e kushtëzuar deri në mbërritjen e analizës për lëngun gjumëndjellës që grabitësit u ofronin udhëtarëve të tyre, para se t’u merrnin gjithçka çmonin me vlera nga xhepat e tyre.
Ka qenë prokurori Çlirim Shahini që i ka paraqitur trupit gjykues provat dhe dëshmitë me shkrim të dy prej viktimave të grabitësve. Janë dëgjuar edhe dy të akuzuarit për veprën penale, të cilët nuk kanë pranuar ta kenë organizuar me qëllim vjedhjen e qytetarëve. 57-vjeçari Fisnik Hajro, jo vetëm që ka mohuar të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet, por ai është kthyer në akuzues, duke thënë se “kjo që na kanë bërë është vetëm një inskenim i policisë së Delvinës”.
Në mbyllje të seancës, gjykata ka vendosur të lërë 20 ditë në burg 57-vjeçarin Fisnik Hajro, ndërkohë që për 72-vjeçarin Astrit Habili, për shkak të moshës së thyer, u la në fuqi detyrimi për paraqitje në gjykatë. Burimet nga gjykata sqaruan se kjo është masë e lehtë dhe e përkohshme, derisa të bëhet zyrtar akti i ekspertimit nga Instituti Policisë Shkencore në Tiranë. Në këtë institucion janë nisur shishet me lëngjet me anë të të cilëve dy personat e akuzuar realizonin vënien në gjumë të klientëve të tyre. Kjo u bë e mundur nga shishet që u gjetën në mjetin e sekuestruar tip “Volkswagen” me targë TR 2210 G.
Gjyqtari Elidon Papazisi tha se 57-vjeçari Fisnik Hajro nga Tirana e përdorte të moshuarin Astrit Habili si vegël për arritjen e qëllimit të vjedhjes, pasi duke qenë i moshuar ai jepte më shumë besueshmëri te klientët që merreshin si pasagjerë.
Fisnik Hajro dhe Astrit Habili u ndaluan nga policia e Delvinës tri ditë më parë, pas denoncimit të bërë në polici nga dy prej “viktimave” të tyre: Ali Mahmuti dhe Sulo Çiçi nga Tepelena. Ata kanë treguar sesi ishin “peshkuar” për t’i marrë si pasagjerë në autoveturën e tyre, e më pas i kanë “droguar” me limonadën enigmatike derisa humbën ndjenjat. Në këtë gjendje ata janë hedhur në rrugën e Muzinës, pasi u ishin boshatisur xhepat.
Analiza e pijeve freskuese që janë gjetur në makinën e të dyshuarve do të saktësojë përfundimisht nëse pretendimet e akuzës janë të drejta.
Top Channel