
Një projekt i shumëdebatuar mund të ndryshojë përfundimisht fytyrën e Kalasë së Lezhës, duke bërë që vlerat e saj antike të humbin përfundimisht.
Reporazhi i “Shqipëria Tjetër”, i transmetuar çdo të hënë në edicionin qëndror të lajmeve, risolli në qendër të vëmendjes këtë problematikë të madhe të realitetit shqiptar, ku vlera mesjetare e antike po humbin përgjithmonë për shkak të mungesës së kujdesit apo vullnetit.
E ngritur në një hapësirë prej rreth 1,5 hektaresh mbi themelet e akropolit antik, Kalaja e Lezhës sot, pa iu nënshtruar ende ndryshimeve të parashikuara, ka tre porta hyrëse dhe është e ndare në dy pjesë.
Në njërën prej tyre qëndronte prijësi dhe familja e tij, ndërsa në tjetrën garnizoni ushtarak mbrojtës.
”Në këtë kala i gjen të gërshetuara shumë periudha, e gjen historinë shumë të lidhur, duke filluar që nga prehistoria”, thotë Dedë Margjoni, specialist i monumenteve të kulturës.
”Mund të them se poshtë mureve kemi një fragment të Lisit të vjetër, Lisit të shekullit të pestë përpara erës sonë.
Pastaj kemi të dokumentuar në rënoja e ndërtime periudhën helenistike. Janë të qarta shenjat, teknika e ndërtimit e periudhës romake, bizantine, turke, që është faza e fundit dhe përfundon në vitin 1521”.
Margjoni nuk ka djeni për tjetësimin e një projekti të ri, që do të ndryshojë plotësisht brendësine e kështjellës, por ai thotë se përgjatë territoreve të kalase ka ende shumë hapësira të paeksploruara e ku mund të fshihen vlera të tjera të historisë shekullore të saj.
Një kompleks turistik pa lidhje me historinë e kalasë, një hotel, restorant, bar, parking e deri një fushë tenisi do të ngrihen e ndërtohen me llaç e tulla mbi muret ekzistuese, në bazë të projektit të shumëdebatuar.
Një kompleks, i cili sigurisht nuk do të ketë lidhje me sundimtarët e hershëm ilire të kësaj kalaje, as me ata edhe me të mepasshmit, Dukagjinasit e Balshajt.
Ndërtesat e reja moderne një e dy katëshe do të bëjne hije mbi rënojat e kishës së shekullit të 13, mbi odën ku prijësit shqiptarë bënë besëlidhjen, mbi vendin ku u dergj Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Gjithçka në kalanë e Lezhës do të mbulohet nga betoni e dritat verbuese, teksa makinat do të vershojnë te parkohen mbi zonën ku ndodhen varrezat mesjetare.
”Nuk e kuptoj se si mund të mendojë një instutit monumentesh t’a kthejë këtë zonë në restorante e hotele. Ku do të shkojnë të gjithë këto dëshmi të trashëgimisë sonë kultutore?
A kemi nevojë për hotele? Për më shumë beton? Ajo që kemi nevojë është për këto gërmadha që flasin, flasin e që flasin”, thotë Salvator Gjeçi, ish-drejtor i Parkut Arkeologjik të Lezhës.
I njëjti projekt është hedhur poshte më parë në vitin 2007 nga Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kultures dhe nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
Megjithatë, së fundmi gjërat duket se kanë ndryshuar. Strukturat janë po ato, por qëndrimi këtë here për të njëjtin projekt është i ndryshëm.
Ministri në ikje i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, nuk e ka firmosur projektin, por nuk dihet çfarë qëndrimi do të mbajë pasuesi i tij.
Vizioni i ri për Kalanë e Lezhës sheh të paprekur, të paktën për momentin, vetëm muret rrethues, të cilët duket se do të sherbejne si gardhi mbrojtës i një monumenti që brenda tij, veç shërbimeve të restorantit, hotelerise e lojrave të tenisit, s’do të ketë asgjë tjetër për të dhënë.
”Privatizimi i historisë, zhdukja e monumenteve arkeologjike, nuk është vetëm regres, por një fshirje e plotë e identitetit kombëtar. Është si të heqësh ndonjë gërmë nga pasaporta jonë kombëtare”, shton Gjeçi.
”Unë konsideroj çdo momument të shkatërruar si një gërmë më pak dhe në momentin që nuk do të ketë më gërma, atëherë s’do të dimë më se kush jemi”.
Për fat të keq, Kalaja e Lezhës s’është veçse një nga qindra monumentet e kultures, të cilat sot janë braktisur në mëshire të fatit apo po mbulohen nga ndërhyrjet betonizuese.
Nga kalaja e Ali Pashës në Tepelenë, ku ndërtimet pa leje po i marrin frymen historisë, tek Kalaja e Shën Triadhës përballë Gjirokastrës, ku gurët përfundojnë në themele shtëpish apo tek Kalaja e Libohovës, kthyer në një bahçe private për lopë, dele e pula.
Tek Albanopoli, tek kisha e Kurjanit, ajo e Shën e Premtes në Sop , tek diga 2000-vjeçare e Krapsit, tek kisha e Shën Gjergjit në Strum, tek manastiri i Spilesë në Gjirokastër, tek kisha eremite e Shën Mërisë, tek Manastiri i Ravenës, tek shtëpitë muze të vëllezërve Frashëri, Migjenit, Mjedës e Fishtës, e sa e sa të tjera në të gjithë Shqipërinë, që po fundosen me shpejtësi, duke lënë pas vetëm një kujtim të largët e të harruar.
Në Lezhë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, sundimtarëve të rinj nuk i intereson kultura e historia, por vetëm era e parasë që nuk nguron të kthejë edhe lashtësinë e identitetin kombëtar në një mejhane të rendomtë.
Top Channel