Cana drejt Juventusit ose Lazio-s

28/03/2011 17:45

Lorik Cana është shndërruar në një objektiv për Juventusin dhe Lazion, bëri të ditur sot një faqe franceze e specializuar për dhënien e lajmeve mbi merkaton, “Footmercato.net”.

Megjithatë, ekziston një mundësi që të rikthehet edhe në Premier League, ku Aston Villa, Bolton, Fulham dhe mbase Tottenham janë të gatshëm t’i paraqesin një ofertë.

Përsa i përket pistës italiane, Lazio e sheh zëvendëskapitenin e kombëtares sonë si përforcimin perfekt për qendrën e mesfushës, por në fazë studimi është edhe Juventusi.

Mesfushori 27-vjeçar nuk është duke kaluar një periudhë të mirë në kampionatin turk tek Galatasaray, ku rregullat për një numër limit të aktivizimit të lojtarëve të huaj e kanë detyruar të qëndrojë shpesh herë në stol.

Gjigantët turk besohet se janë të gatshëm të negociojnë për kartonin e Canës mbi bazën e 8-10 milion eurove.

Top Channel