Të hënën gara për kompensimin e pronave

26/03/2011 08:20

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) njofton se të hënën e kësaj jave nis fillimin e procesit të pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla nga fondi i vitit 2011, rreth 2 miliardë lekë (sipas Ministrisë së Financave).

Ky proces prek subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim dhe nis më datë 28 mars (zgjat 30 ditë).

Bazuar në rregullat dhe kriteret, përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet.

Nga fondi i vitit 2011 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë.

Masa e kompensimit për pronat e njohura deri në 1500 m2, masa e kompensimit është 200 m2 dhe për pronat e njohura mbi 1500 m2 –3000 m2, masa e kompensimit është 300 m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 m2 deri 5000 m2, masa e kompensimit është 400 m2, kurse për pronat e njohura mbi 5000 m2-10 000 m2, masa e kompensimit është 500 m2.

Aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet.

“Të gjithë aplikuesit që paraqesin të dhëna të rreme apo fshehin të dhëna të nevojshme për procesin e kompensimit përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes”, tha dje kreu i AKKP-së, Elvis Çefa.

Top Channel