Rikthehet tensioni në gadishullin Korean

26/03/2011 13:05

Korea e Jugut po zhvillon një stërvitje ushtarake masive detare, në atë që është konsideruar si një shfaqje force ndaj fqinjëve veriorë, në përvjetorin e mbytjes së një anijeve luftarake.

Autoritetet kanë bërë me dije se stërvitjet, gjatë të cilave po përdoren armë të vërteta, do të zhvillohen në Detin e Verdhë dhe në jugun e kufirit detar të diskutuar, informoi agjensia e lajmeve “Yonhap”.

Një burim i lartë ushtarak bëri të ditur se të tre flotat detare të Koresë së Jugut do të stërviten deri nesër, ndërsa do të simulohet një sulm i njëkohshëm prej nëndetëseve, anijeve dhe avionëve koreanoveriorë.

Seuli zyrtar akuzon fqinjët veriorë se siluruan dhe mbytën luftanien “Cheonan”, në 26 mars 2010, duke shkaktuar vdekjen e 46 marinarëve.

Peniani nuk i ka pranuar kurrë këto akuza, por provat e paraqitura nga një komision ndërkombëtar i udhëhequr nga Korea e Jugut arritën në përfundimin se anija u godit nga një silur i lëshuar nga një nëndetëse e shtetit komunist.

Ndërkohë, një ceremoni përkujtimore është zhvilluar gjatë ditës në varrezat e heronjve të kombit, ndërsa media riktheu akuzat ndaj autoriteteve, të vënë në shënjestër kur ndodhi ngjarja për mungesën e një përgjigje të shpejtë.

Këto ngjarje rikthejnë tensionin në gadishullin Korean, ndërsa një zëdhënës i qeverisë së Koresë së Veriut akuzoi Seulin se po organizon një fushatë ndërkombëtare keqinformimi dhe se po kërcënon vazhdimisht nëpërmjet këtyre provave ushtarake.

Përgjigjia e Seulit erdhi nëpërmjet Ministrit të Mbrojtjes, Kim Kwan-Jin, i cili urdhëroi ushtrinë të qëndronte në gjendje gadishmërie lufte, ndërsa akuzoi Peniani se është duke përgatitur një fushatë pushtimi ndaj tyre.

Top Channel