Obama: Të rrisim sulmet ndaj Gaddafi-t

26/03/2011 09:10

Presidenti Amerikan, Barack Obama, do të mbajë një fjalim të hënën përpara kombit, gjatë të cilit do të shpjegojë përse lindi nevoja e ndërhyrjes në Libi, informoi sot “New York Times”.

Gjatë fjalimit, pritet që presidenti të shpjegojë përse zëvendësoi politikën e tij pacifiste me këtë agresion ndaj Gaddafi-t, ndërsa njëkohësisht do të argumentojë nevojën për të rritur fuqinë e sulmeve aktuale në Libi.

Një javë pas fillimit të goditjeve nga ajri, forcat e Gaddafi-t vazhdojnë të jenë në gjendje të mbrojnë me sukses pozicionet e tyre në zonat urbane dhe po shkaktojnë shumë viktima midis civilëve.

Vështirësia për të bombarduar pozicionet e ushtrisë së rregullt brenda në qytete bën që ata të vazhdojnë të kenë një avantazh, përballë trupave rebele, gjerësisht të pastërvitura.

Ndonëse janë më pak në numër, forcat e Gaddafi-t kanë kryesisht një stërvitje të plotë ushtarake, ndërsa janë të pajisura më mirë me armë.

Rebelët luftojnë nëpër qytete kryesisht me automatikë të vjetër kallashnikovë, ndërsa forcat qeveritare kanë në dispozicionin e tyre edhe artileri të lehtë e të rëndë, murtaja dhe mund të vendosin edhe mina anti-njeri në terren.

Top Channel