
Ministria e Financave ka deklaruar edhe njëherë sot se amnistia fiskale e premtuar nga qeveria është një aksion për qytetarët dhe jo favorizim për zyrtarët.
Në një deklaratë për shtyp, numri dy i këtij dikasteri, Alfred Rushaj ka sqaruar përfitimet që do të vijnë për qytetarët nga kjo amnisti.
“Siguroj qytetarët se nga kjo amnisti nuk do përfitojnë zyrtarët që kanë për detyrë deklarimin e pasurisë. Garantoj qytetarët se kur ky projekt të miratohet në Parlament, atyre do t’u falen të gjitha faturat tatimore të papaguara deri në 31 dhjetor të vitit 2010. Gjithashtu, iu them qytetarëve se do të mund të legalizojnë pasuritë e tyre dhe se do të mund të rivlerësojnë pasurinë e tyre duke evituar taksimin prej 10 për qind”, ka deklaruar Rushaj.
Gjithashtu, Rushaj ka bërë të ditur se, të gjithë shqiptarëve që kanë futur makinë në Shqipëri dhe që nuk kanë paguar taksën doganore, do t’iu falet 50% e taksës nëse paguajnë një pjesë të principalit.
“Nga ana tjetër, biznesit të vogël do t’i falen taksat e tij, do falen kontributet shoqërore të papaguara, do falen gjobat për mosvendosjen e pajisjeve fikale. Ndërsa biznesit të madh do t’i falen tatimet e papaguara bashkë me kamatat dhe pagesat e prapambetura”, ka saktësuar ndër të tjera Rushaj.
Më tej ai i ka bërë një apel edhe liderit të opozitës, që e ka vlerësuar këtë amnisti si një nismë për pastrimin e parave të pista, duke i kërkuar votimin e saj pasi është për qytetarët.
“I them zotit Rama se kjo amnisti nuk është për kontrabandistët, por për qytetarët, për biznesin dhe nëse ai me të vërtetë e përkrah biznesin, ne e ftojmë që ta votojë”, ka shtuar Rushaj.
Top Channel