Londër, mijëra protestojnë ndaj shkurtimeve

26/03/2011 13:20

Dhjetëra mijëra protestues janë grumbulluar në Londër gjatë mesditës, në një manifestim gjigant paqësor ndaj planit të qeverisë për shkurtime masive.

Siç bën të ditur “AFP”, kryeqyteti britanik vazhdon të jetë në tension nga mundësia e shpërthimit të episodeve të dhunës, ndërsa një numër rekord i forcave të policisë është vendosur në rrugët kryesore.

Sindikatat që organizojnë këtë protestë informuan se presin më shumë se 100 mijë pjesëmarrës në manifestimin që i kundërvihet planit të koalicionit konservator-liberal demokrat, për reduktimin e defiçitit tregtar të Britanisë.

Burimet policore bënë me dije se 4 500 policë janë vendosur gjatë rrugës së marshimit, ndërsa pritet që punonjësve të sektorit publik t’u bashkangjiten edhe organizatat studentore, të revoltuara nga plani i trefishimit të pagesës për kuotat hyrëse në Universitet.

Pensionistët dhe Sindikatat e Infermierëve kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen. Sipas koalicionit qeverisës që erdhi në pushtet në maj 2010, shkurtimet do t’i kursejnë qeverisë 92 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme.

Sipas tyre, reduktimi i defiçitit buxhetor është bërë i domosdoshëm, por ai do të jetë i dhimbshëm, pasi rreth 300 mijë njerëz do të humbin vendin e tyre të punës apo benefite të tjera sociale.

Protesta e sotme është më e madhja e parë ndonjëherë në Londër që prej vitit 2003, kur rreth një milion persona marshuan për të kundërshtuar luftën në Irak.

Top Channel