Libi, shpërthime të fuqishme në kryeqytet

26/03/2011 08:15

Disa shpërthime të fuqishme kanë tronditur gjatë mëngjesit kryeqytetin libian Tripoli, bënë me dije mediat ndërkombëatare.

Një banor tha për “AFP”-në se është goditur periferia lindore e Tajourës, e cila ka qenë në shënjestrën e forcave të koalicionit edhe më parë.

Duket se SHBA, Britania dhe Franca po rrisin presionin ushtarak mbi Gaddafi-n, i cili vetëm një ditë më parë shpalli se do të rektrutojë me mijëra “vullnetarë” për ushtrinë e tij.

Koalicioni po përpiqet të godasë sa më pak zonat urbane, pasi e di që për imazhin e tij do të ishte shumë e dëmshme nëse bombardimet do të sillnin viktima mes civilëve.

Televizioni Shtetëror Libian, për të cilin është folur se mund të bombardohet që prej disa ditësh, vazhdon të transmetojë pamje të trupave të gjymtuar nga “bombat e pushtuesve”, por nuk dihet nëse kjo është e vërtetë.

Shpërthime kanë ndodhur edhe në qytetin e Ajdabijës, ku pozicionet e ushtrisë së Gaddafi-t janë bombarduar për të disatën ditë me radhë. Sipas raportimeve, rebelët duket se kanë fituar një avantazh dhe po mësyjnë për të marrë kontrollin e të gjithë qytetit.

Luftime të ashpra kanë vazhduar edhe në qytetin e tretë më të madh të vendit, Misrata, ku shumë civilë kanë mbetur viktimë e predhave të artilerisë apo goditjeve nga snajperat e ushtrisë.

Top Channel