Euro 2012, asnjë surprizë

26/03/2011 00:00

Ka zhvilluar vetëm 5 ndeshje dhe Italia e Prandelit e ka hipotekuar kualifikimin për në Euro 2012, faza finale e të cilës do të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni.

Azurrët kanë mundur për herë të parë në historinë e tyre Slloveninë falë golit të vetëm të shënuar nga Tiago Motta, goli i parë për të me fanelën e Italisë.

Falë këtij suksesi ekipi i drejtuar nga Prandeli është ngjitur në kuotën e 13 pikëve, 6 më shumë se Sllovenia dhe Serbia që janë me pikë të barabarta në vendin e dytë.

Holanda e ka ekzagjeruar në Hungari, ka mundur 4-0 vendasit në stadiumin Ferenc Pushkash dhe tashmë e sheh veten shumë të shkëputur nga kundërshtarët në grupin E. Golat e portokallinjve u shënuan nga Van der Vaart, Afellay, Dirk Kuyt dhe Van Persie.

Ka bërë një hap të sigurt drejt kualifikimit edhe Franca, një nga kundërshtarët e kombëtares shqiptare në grupin D. Ekipi i Lorent Blank ka mundur 2-0 Luksemburgun dhe forcon pozitat e veta në krye me 12 pikë. Mexes kaloi francezët në avantazh në pjesën e parë ndërsa Gourcuff vulosi fitoren e pastër për francezët.

Spanja vuajti por në fund arriti të mposhtë 2-1 Cekinë, rivali direkt i kampionëve në fuqi në grupin I. Edhe pse kanë shënuar të parët me Plasil, cekët nuk kanë mundur të përballojnë presionin e spanjollëve të cilët kanë shënuar dy herë në pjesën e dytë me David Villa.

Përfaqësuesja e Del Boskes mban vendin e parë me 12 pikë, 6 pikë më shumë se Cekia.  

Top Channel