AFP: Rebelët libianë pushtojnë Ajdabijën

26/03/2011 09:25

Rebelët libianë, të mbështetur nga disa netë bombardimi të forcave të kolonel Gaddafi-t kanë arritur të pushtojnë qytetin e Ajdabijës, lajmëroi disa minuta më parë Agjensia Franceze e Lajmeve, “AFP”.

Sipas korrespondetit të saj në zonë, ushtarët qeveritarë janë duke braktisur me shpejtësi pozicionet e tyre të fundit në qytet dhe po tërhiqen në perëndimin e vendit, ku Gaddafi vazhdon të ruajë kontrollin.

Nëse lajmi do të vërtetohet, ky do të ishte suksesi i parë i madh i rebelëve, që prej fillimit të bombardimeve nga aleatët, një javë më parë.

Duket se shkatërrimi i pozicioneve të artilerisë jashtë qytetit la pa mbështetje ushtarët qeveritarë që mbronin Ajdabijën, të cilët me sa duket janë detyruar të tërhiqen përpara numrit më të madh të kundërshtarëve.

Ajdabija, një qytet që ndodhet pranë fortesës rebele të Bengazit, është një pikë shumë e rëndësishme strategjike në luftimet që po ndodhin në Libi.

Top Channel