Banorë të komunës së Farkës, prona e të cilëve preket nga ndërtimi i Unazës së Madhe, kanë protestuar për të mos lejuar vijimin e punimeve nga firma e ndërtimit, pasi nuk janë shpronësuar.
“Jam në tokën time këtu, ca do bësh ti”, i është drejtuar një prej protestuesve agjentëve të policisë që ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Banorët janë përleshur me policinë, e cila ka mbërritur atje për të siguruar lejimin e punimeve. Banorët nuk janë kundër ndërtimit të Unazës së Madhe, por sipas procedurave ata kërkojnë më parë kompnesimin në para nga qeveria, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e saj.
Në fillim ishin drejtues të kopshtit botanik ata që protestuan për cënimin e hapësirës se kopshtit botanik e së fundmi janë pronarët e tokës që preken nga ndërtimi i Unazës së madhe, të cilët nuk besojnë se do të ketë kompensim nëse lejojnë fillimin e punimeve.
Por Ministria e Punëve Publike ka reaguar duke deklaruar se, toka është pronë shtetërore dhe protestuesit ishin të organizuar nga Partia Socialiste.
“Militantët e PS u përppoqën të bllokonin punimet me pretendimin se Ministria e Punëve Publike nuk ka bërë shpronësimet. Pasuritë janë në pronësi të shtetit në bazë të fraksionit 1/24, në zonën kadastrale të Saukut dhe jo pronë private. Sa për pasuritë private, po ndiqet procedura përkatëse”, ka sqaruar një zëdhënëse e ministrisë.
Top Channel