Profesorë dhe studiues të fesë në universitetet Derby në Angli dhe Fatih në Turqi, kanë argumentuar arsyet përse regjistrimi i popullsisë nuk duhet të bëhet në bazë të fesë dhe etnisë.
Anëtari i Këshillit të Lartë në Universitetin Faith, Mustafa Oscan tha se besimi është një cështje mes individit dhe Zotit dhe duhet të mbetet i tillë.
“Të gjithë duhet të respektojnë personin, mendimin dhe besimin e tij. Unë s’i di detajet e kësaj cështjeje, se cfarë qëllimesh fshihen pas saj, por sic e thash, besimi i intereson vetëm personit dhe askujt tjetër. Këtu lind cështja që nëse nuk ka ndonjë fe, duket si i tillë, por fesë nuk i shërben kjo. Feja është e drejtuar nga besimi dhe është mes njeriut dhe Zotit. Nuk i di prapaskenat, ndaj s’mund të them më shumë se kaq”, ka deklaruar Oscan.
Ndërsa profesor doktor Paul Weller sqaron se ky regjistrim do të mbartë edhe probleme të tjera, pasi pakicat etnike do të kishin të tjera pretendime.
“Nuk e di mirë cështjen këtu, por mund të them që ky debat është bërë edhe tek ne para 10 vjetësh. Cfarëdo që të bëhet duhet të ketë shumë kujdes, që përgjigjet të mos keqkuptohen dhe të keqpërdoren. Ka një rrezik, që kur të merret përgjigjia, mund të sjellë konkurrencë mes grupimeve fetare dhe kjo është arsyeja që shumë vende s’e bëjnë këtë pyetje. Nëse bëhet, duhet të bëhet me kujdes që të mos keqpërdoret. Aq më tepër në Shqipëri që ka martesa të përziera mes feve të ndryshme. Por ndonjëherë jeta është më e ndërlikuar se të japësh një përgjigje dhe duhen bërë pyetje te detajuara”, ka deklaruar Weller.
Janë të shumta vendet që regjistrimin e popullisë nuk e kanë kryer në bazë të fesë dhe etnisë, duke respektuar edhe besimin e qytetarëve dhe duke shmangur cdo formë për përdorimin e tij.
Këto deklarata u bënë gjatë një simpoziumi ndërkombëtar, mbi këndvështrimin e diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan, të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Tiranës.
Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferraj vlerësoi harmoninë fetare si pasuri të cmuar të shqiptarëve.
“Harmonia ndërfetare është jo vetëm një rast unik, por një vlerë shumë përfaqësuese e kombit tonë. Ne gjithmonë kemi luftuar për ruajtjen e këtij tipari identifikues për shqiptarët, që na afron me familjen e madhe evropiane”, ka deklaruar Xhaferraj.
Top Channel