Një prej sinjaleve më të këqija në transportin ajror është mungesa e komunikimit me avionët në ajër. Për dekada, kontrollorët e trafikut i janë frikësuar gjithmonë heshtjes, si një sinjal ogurzi që mund të tregojë se një aksident ka ndodhur.
Megjithatë, ndodh edhe e kundërta, që të jenë pilotët ata që të tentojnë në mënyrë të dëshpëruar të lidhen me kullën e kontrollit, aq sa shqetësimi të mos jetë më për atë që po ndodh në ajër, por për atë që ka ndodhur në tokë.
Gazetat amerikane raportuan sot për pushimin nga puna dhe hetimin e një kontrollori të trafikut ajror, i cili vendosi në rrezik jetën e 165 personave në dy avionë në fazë ulje, në aeroportin e ngarkuar të Uashingtonit, pasi e kishte zënë gjumi.
Sipas artikullit të “New York Times”, pilotët e të dy avionëve u përpoqën për disa minuta të tëra të komunikonin me kullën e kontrollit të “Reagan National Airport”, përpara se të vendosnin të uleshin pa patur leje dhe duke rrezikuar jetën, pasi karburanti i tyre ishte duke shteruar.
Pasi qarkulluan disa herë aeroportin në kërkim të një sinjali jete, të dy avionët vendosën të uleshin në një nga pistat e tij, edhe pse nuk kishin konfirmim nëse ajo ishte apo jo e zënë.
Për fatin e tyre, asnjë aksident nuk ndodhi, por një mungesë e tillë përgjegjësie është flagrante dhe mund të kishte rezultuar në tragjedi. Autoritetet nuk bënë të ditur emrin e personit që do të ndiqet për shpërdorim detyre, por informuan se ai ishte një prej pjestarëve me më shumë përvojë të stafit.
Kontrollori i trafikut ajror kishte 20 vjet eksperiencë, ndërsa që prej 17 vitesh punonte në aeroportin ndërkombëtar “Ronald Reagan” të kryeqytetit të SHBA-së.
Top Channel