Mediat meksikane, aleancë kundër mafias

25/03/2011 16:00

Drejtuesit e mediave kryesore meksikane arritën sot një marrëveshje midis tyre, për mënyrën se si do të mbulojnë historitë e lidhura drejtëpërsëdrejti me çështjet e drogës dhe luftës së karteleve ndaj shtetit.

Ndër pikat kryesore është heqja e atyre lajmeve që në mënyrë të tërthortë i bëjnë publicitet mafias apo që përmbajnë propagandën e tyre.

Një punë më e madhe u premtua për mbrojtjen e gazetarëve, pasi 20 prej tyre kanë mbetur viktimë e trafikantëve që prej vitit 2006.

Në marrëveshje mbrohet e drejta e mediave për të mbajtur qëndrim kritik ndaj qeverisë meksikane dhe mënyrës së drejtimit të luftës së saj ndaj drogës.

”Fuqia e krimit të organizuar, aftësia e tij për të korruptuar dhe frikësuar këdo është bërë një praktikë e zakonshme në demokracinë tonë të brishtë. Sot, liria e të shprehur është në rrezik”, shkruhej në deklaratën e përbashkët të mediave.

Top Channel