Përjetimi i emocioneve pas një lidhje të dështuar është i ndryshëm nga meshkujt tek femrat, ndërsa një sondazh tregoi se femrat i kthehen më pas të shkuarës dhe kanë më shumë pishmane se ish-partnerët e tyre.
E përditshmja britanike “Daily Mail” publikoi sot një studim të një Universiteti të Sociologjisë në Britani, i cili vërteton se femrat kanë dy herë më shumë pishmane për gabimet që mund të kenë bërë në lidhjet e shkuara, me 44% prej tyre që pranojnë se kanë pishmane, ndërsa vetëm 20% e meshkujve e pranojnë këtë.
Ekspertja e marrëdhënieve njerëzore, Jean Hannah Edelstein, deklaroi se ky përfundim provon se “femrat janë më të përgjegjshme për anën e tyre emocionale gjatë një lidhjeje.
Pasi një lidhje dështon, për një femër është e zakonshme të kthehet pas për të kuptuar arsyet përse gjërat nuk funksionuan si duhej. Çfarë mund të kisha bërë ndyrshe është një pyetje që shumica e femrave ia shtrojnë vetes”.
Për vetë karakterin mashkullor, kthimi pas në kohë është më pak i pranueshëm. “Është e pazakontë për një mashkull që të jetë i gatshëm të pranojë gabimet e tij, pasi kjo sipas tyre nuk është mashkullore.
Megjithatë, është e qartë që do të ishte në dobinë e lidhjeve të ardhshme të të gjithë këtyre meshkujve që të bënin pak si gratë, sepse gjetja e gabimeve tek vetja do t’i ndihmonte shumë në lidhjet e ardhshme”.
Sondazhi u krye nëpërmjet telefonit dhe 370 të rritur, midis moshave 19-103 vjeç u pyetën se cili ishte pishmani më i madh i jetës së tyre.
Anketa provoi njëkohësisht se pishmanet më të mëdha janë ato romantike, me pothuajse një prej pesë personave të pyetur që identifikuan zhgënjimet romantike si ato më të mëdhatë e jetës së tyre.
Në vendin e dytë të kësaj liste ishin problemet familjare, me 16% e të anketuarve që u përgjigjën se nuk do të kishin dashur të ishin zënë me ndonjë të afërm.
Pishmani për lënien pas të edukimit në moshën e re ishte në vendin e tretë me 13%, ndjekur nga pishmanet për karrierën (12%), lëvizjet financiare (10%) dhe gabimet në edukimin e fëmijëve (9%).
Top Channel