Libi, Gaddafi rekruton “vullnetarë”

25/03/2011 21:15

Lideri libian, koloneli Muammar Gaddafi, është duke armatosur vullnetarë për të luftuar kundër rebelëve në vendin e tij, lajmëroi një zyrtar i lartë ushtarak amerikan.

Zëvendësadmirali William Gortney shtoi se “Gaddafi praktikisht nuk ka më mbrojtje ajrore, prandaj po përpiqet të fuqizojë sa më shumë ushtrinë e tij tokësore”.

”Forcat e tij ajrore nuk mund të fluturojnë, luftanijet e tij qëndrojnë në porte, depot e municioneve po shkatërrohen, rrugët e komunikimit po ndërpriten, ndërsa komanda e tij po bëhet e padobishme”, deklaroi Gortney.

”Sot kemi marrë informacione se është hapur një fushatë për të rektruar në ushtri vullnetarët. Ajo që nuk dimë është nëse bëhet fjalë me të vërtetë për vullnetarë apo të rinj që detyrohen të luftojnë. Megjithatë, fakti që ai po kërkon përforcime nga civilët tregon qartë gjendjen e dëshpëruar në të cilat gjendet trupat e Gaddafi-t”.

Më parë gjatë ditës, forcat rebele lëshuan një ofensivë ndaj tanqeve dhe trupave qeveritarë në Ajdabija, por u zmbrapsën pas humbjeve të shumta.

Ndërkohë, Katari u shndërrua në vendin e parë arab që dha kontribut duke ofruar avionë për të bombarduar territorin libian.

Top Channel