Kuzhe: Bjellorusia, një finale për ne

25/03/2011 20:25

Trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, deklaroi se ndeshja e sotme kualifikuese me Bjellorusinë do të përcaktojë fatet e përfaqësueses në këtë fushatë eliminatore të Euro 2012.

Nëse do të arrijmë të marrin tripikëshin, atëherë do të vazhdojmë të mbetemi në garë për vendet e para dhe kualifikimin, ndërsa humbja do të bënte që të humbnim shpresat dhe të përqendrohej tek fitimi i elementëve të rinj.

”Ndeshja me Bjellorusinë është një mundësi e mirë për të fituar pikë. Do të bëjmë një ndeshje të hapur dhe do të luajmë të bindur se mund të arrijmë marrjen e fitores”, deklaroi Kuzhe.

”Fati ynë në këto kualifikuese do të varet nga kjo ndeshje. Nëse kalojmë pozitivisht, qëndrojmë në garë për kualifikimin.

Nëse humbasim shansin për të fituar pikë, atëherë duhet të fillojmë të mendojmë për rikonstruktimin e ekipit dhe ndërtimin e një skuadre të së ardhmes”.  

Ndërkohë, dy veteranët e ekipit tonë përfaqësues, Lala dhe Skela, theksuan se çelësi i suksesit në këtë ndeshje do të jetë grupi i bashkuar, diçka që mungoi në Minsk në humbjen 2-0 të pak muajve më parë.

Formacioni anti-Bjellorusi do të ketë disa ndryshime. Do të luajmë me skemën 4-4-2. Në portë do të jetë Sajmir Ujkani, në vend të Beqajt dhe do të rikthehet pas disa mungesash Ervin Skela. Sulmi do të jetë sërisht Bogdani-Salihi.

Top Channel