Berisha prezanton Bashën: “Ajka” e PD-së

25/03/2011 19:00

Kryeministri i vendit dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi zyrtarisht Lulzim Bashën si kandidat për Bashkinë e Tiranës, ndërsa motivoi këtë zgjedhje duke thënë se Basha ishte kandidati më i mirë që mund të zgjidhej.

Në fjalimin e tij, Berisha e përshkroi ish-Ministrin e Brendshëm si një njeri që ka njohur vetëm suksese në të gjithë karrierën e tij politike, prandaj u shpreh i bindur se ai do të jetë në gjendje të transformojë fytyrën e kryeqytetit, “pasi të fitojë zgjedhjet”.

”PD dhe Aleanca për Qytetarin është krenare të mbështesë njërin prej personaliteteve më të suksesshme të Partisë Demokratike, njërin prej qytetarëve më të shquar të kryeqytetit, intelektualin e talentuar, Lulzim Bashën”, deklaroi Berisha.

”Zgjodhëm Bashën, sepse ai është një njeri që ka njohur vetëm shkëlqime gjatë jetës së tij. Ai ishte gjimnazisti që shkëlqeu në lëvizjen anti-komuniste, studenti që shkëlqeu në Utreht, në një prej universiteteve më të mira në botë.

Basha është njeriu që shkëlqeu në luftën kundër Milosheviçit, njeriu që pa internet e pa klikime, studioi për të fituar vendin e parë në një prej konkurseve më të rëndësishëm të të drejtave njerëzore”.

Berisha vazhdoi fjalimin duke përdorur kartën e cilësive morale të kandidatit të tij. “Lulzim Basha është bashkëshorti shembullor, prindi shembullor, prandaj ai do të jetë edhe Kryebashkiaku shembullor, për një Tiranë Europiane, për të cilën ai vetë ka kontribuar kaq shumë”.

Duke vlerësuar lart figurën e rivalit të Edi Ramës në luftën e kryeqytetit, Kryeministri veçoi aftësitë “e mrekullueshme” të Bashës në lidhjen e kombit, falë projektit të rrugës Durrës-Kukës, e cila u ndërtua në kohën kur Basha ishte Ministër i Transporteve.

Për Kryeministrin, Basha është edhe “njeriu që shkoi në Bruksel për të realizuar ëndrrën më të madhe e të bukur të të gjithë shqiptarëve. Si Ministër i Jashtëm, ai luajti një rol thelbësor në antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për heqjen e vizave”, tha Berisha, i cili vlerësoi kandidatin e PD-së për Bashkinë si një “bashkëudhëtar në realizimin e ëndrrave, në këto vite të suksesshme të qeverisjes”.

Në fjalimin e tij, Berisha u shpreh i sigurt se Basha do të bëjë të mundur ndryshimin e fytyrës së Tiranës, një qyteti që sipas tij, ka mbetur në stanjacion prej gjashtë vitesh.

”Jemi në borxh me Bashën dhe Tiranën”, vazhdoi Kryeministri gjatë prezantimit. “Ai ka luajtur një rol të veçantë në një qeveri që ka tentuar vazhdimisht të ndryshojë fytyrën e Tiranës dhe të përmirësojë jetesën e qytetarëve të saj, por pa ia dalë mbanë, pasi kundërshtari që drejton Bashkinë ka dashur vetëm betonizimin e kryeqytetit.

Qeveria jonë ka pesëfishuar fondet për Bashkinë e Tiranës, por asgjë nuk ka ndryshuar për shkak të keqadministrimit. Me Bashën, kjo nuk do të ndodhë më“.

Për Berishën, Lulzim Basha ka edhe një arsye më shumë për të bërë Tiranën qytetin e “ëndrrave të tona”, pasi Kryeministri zbuloi se kandidati për Bashkinë e Tiranës është duke pritur fëmijën e tij të dytë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA