Prodhuesit e produkteve ushqimore si vaji, pijet freskuese dhe buka abuzojnë me përbërësit e tyre duke shtuar në to doza të dëmshme për konsumatorin përbërësish sintetikë.
Vecanërisht për bukën përdoren ngjyrues për ta bërë atë të zezë, ndërkohë që mielli i përket një cilësie të dobët dhe është i bardhë, po kështu abuzohet me lëndën që përdoret për ta fryrë atë.
Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit deklaron se për shkak të problemeve të hasura do të intesifikohen kontrollet për këta prodhues, si dhe për ata që merren me prodhimin dhe tregtimin e produkteve të qumështit.
“Sa i përket cilësisë, ne jemi të vëmendshëm ndaj rrugëtimeve që bëhen. Ka shumë probleme për bukën, por zanafillën e ka tek prodhuesit e miellit. Do të merremi edhe me vajrat, sidomos me atë të ullirit, me ingredientët sintetikë në pijet freskuese, etj. Gjithashtu, po punojmë për uljen e prezencës mikrobakteriale në qumësht”, ka deklaruar Genc Juka.
Në shtatë muaj të aktivitetit të këtij autoriteti, sipas Jukës, janë asgjesuar mbi 20 mijë kv produkte kryesisht të importuara, jashtë kritereve të sigurisë, si përsa i përket datës së skadenës, por dhe abuzimit që bëhet duke mos i përkthyer në gjuhën shqipe.
Top Channel